Ka dështuar seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme ndaj kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Kryebashkiaku nuk u paraqit në sallën e gjyqit, ndërsa mungesa e tij, së bashku me mosparaqitjen e disa të pandehurve të tjerë, çoi në shtyrjen e seancës.
SPAK ka çuar për gjykim Benet Becin dhe gjashtë persona të tjerë, duke i akuzuar për shkelje të ligjit në një procedurë prokurimi të zhvilluar gjatë kohës kur Beci drejtonte KESH-in. Sipas organit të akuzës, bëhet fjalë për një tender konsulence të vitit 2019 me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”, me vlerë rreth 96.5 milionë lekë.
Prokuroria pretendon se në këtë procedurë janë favorizuar operatorë të caktuar ekonomikë, duke u cenuar barazia dhe konkurrenca në tender. Hetimi ka nisur kryesisht pas referimit të akteve nga Byroja Kombëtare e Hetimit, pas sekuestrimit të provave materiale në banesën e një prej personave të përfshirë në çështje.
Gjykata vendosi shtyrjen e seancës, ndërsa shqyrtimi i radhës është caktuar për datën 11 shkurt, në orën 12:00. Deri atëherë, mbetet e paqartë nëse kryebashkiaku i Shkodrës do të paraqitet personalisht për t’u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij.
