“Propagandë toksike”/ Berisha thirrje për mobilizim: 10 shkurti, ditë kyçe e kryengritjes kundër regjimit

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për intensifikimin e aksionit opozitar, duke theksuar se protesta mbetet e vetmja rrugë për përballjen me qeverinë. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha deklaroi se data 10 shkurt do të shënojë një moment vendimtar të asaj që ai e cilësoi si “kryengritje paqësore” kundër regjimit.

Sipas Berishës, pakënaqësia qytetare është në rritje dhe reflektohet qartë në takimet që përfaqësuesit e opozitës po zhvillojnë në terren. Ai theksoi se kjo zemërim do të materializohet në rrugët dhe sheshet e Tiranës, duke kërkuar angazhim maksimal të strukturave të PD-së në të gjithë vendin.

“Kjo javë duhet të jetë një përkushtim total në komunikimin me qytetarët, në Tiranë dhe në çdo cep të Shqipërisë”, u shpreh Berisha, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë përmes takimeve, sqarimeve dhe debateve.

Ai akuzoi qeverinë për përdorim të propagandës, të cilën e cilësoi si “toksike”, ndërsa kritikoi ashpër mediat që, sipas tij, janë në shërbim të pushtetit. Berisha kërkoi kundërpërgjigje të fortë ndaj kësaj propagande dhe mobilizim të plotë të opozitës në ditët në vijim, në prag të protestës së 10 shkurtit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related