Veliaj kërkon përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, debate në seancë për mbrojtjen ligjore

Data

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar sot përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, duke pretenduar se nuk i është garantuar e drejta për një mbrojtje efektive gjatë procesit gjyqësor.

Një ditë më parë, Veliaj kishte kërkuar largimin e avokates së caktuar kryesisht, Valentina Teodoresku, gjatë seancës paraprake. Avokatja deklaroi se kishte pasur vetëm rreth një orë kohë për ta takuar Veliajn në ambientet e IVEP Durrës dhe se kjo nuk ishte e mjaftueshme për t’u njohur me aktet e dosjes.

Teodoresku kërkoi shtyrjen e seancës, por kjo kërkesë u rrëzua nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Ajo theksoi se, pavarësisht kohës së kufizuar, ka kompetencë ligjore për të përfaqësuar Veliajn.

Mësohet se seanca po zhvillohet me dyer të mbyllura.

Akuzat ndaj Erion Veliajt

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme dosjen ndaj Erion Veliajt. Sipas prokurorisë, mbi kryebashkiakun rëndojnë 13 akuza, ndërsa ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, rëndojnë 12 akuza.

Nga hetimet rezulton se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta kanë përfituar në mënyrë të parregullt shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse. Në këmbim, këto subjekte kanë marrë leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Sipas SPAK, Veliaj, në cilësinë e kryetarit të bashkisë, ka miratuar me firmën e tij shpërndarjen e fondeve publike, të cilat më pas kanë përfunduar te organizata jofitimprurëse të kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe persona të afërt. Gjithashtu, dyshohet se janë përfituar pasuri të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme nga subjekte që kanë marrë leje ndërtimi dhe fonde publike.

Prokuroria vlerëson se në këto episode janë konsumuar elementët e veprës penale të korrupsionit pasiv, ndërsa subjektet tregtare dhe OJF-të përkatëse dyshohen për korrupsion aktiv.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related