Partia Demokratike zyrtare është kundër pr/ligjit për kalimin e pronës shtetërore në private që u shqyrtua dje në Kuvend. Në një postim në “Facebook”, Basha e gjuan ligj korruptiv është në vazhdën e ligjeve të porositur nga oligarkia, duke imituar skemën e inceneratorëve. “Sot në rendin e ditës është futur një projekt-ligj me porosi nga mafia e pronave publike. Tinëzisht dhe në bashkëpunim me qeveritarët e korruptuar ata duan ta përvetësojnë pronat publike nëpërmjet shitjes me ankand, tjetërsimit dhe shkëmbimit me pasuri private nga institucione në varësi të Kryeministrit apo të organeve të qeverisjes vendore. Ky ligj korruptiv është në vazhdën e ligjeve të porositur nga oligarkia, duke imituar skemën e inceneratorëve. Ky është Edi Rama, nga njëra anë propozon rezolutë kundër korrupsionit, nga ana tjetër e përdor atë për të fshirë buzët e pushtetit të trashura nga gostitë korruptive me pronat e shqiptarëve. Kjo është hipokrizia shtinjake e një pushteti të kalbur që premton publikisht në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se do të futet në dietë, ndërsa në skutat më të errëta të Kuvendit nxiton të përgatisë ligje për të gllabëruar pronën publike në dobi të një grushti oligarkësh dhe në dëm të shoqërisë shqiptare. Nuk mendojnë asnjë çast të hapin vende të reja pune për qytetarët, por vetëm planifikojnë vjedhjen e radhës në bashkëpunim me oligarkët. Bëjnë mirë të tërhiqen përpara se të përfundojnë pas hekurave ku nuk ka Edi Ramë që t’i mbrojë!”, deklaroi Basha. Nga ana tjetër, deputeti i PD, Arbi Agalliu kërkoi tërheqjen e këtij ligji nga seanca plenare, duke thënë se më këtë ligj i dhurojnë oligarkëve pronat shtetërore. Agalliu tha se amendamentet nuk kanë kaluar konsultimin publik. “Keni futur javën e kaluar dy amendamente që ndryshojnë thelbin e këtij pr.ligji, duhet ta tërhiqni, ta kaloni në konsultim publik. Abuzim me pronat publike janë të tmerrshme. T’i dhurosh oligarkut atë që deri dje e mbulonit me ligjin për investitorët strategjik. Për aq kohë sa janë shtuar amendamente të reja, këtu fshihet abuzimi me pronën. Është të vjedhësh me lezet, kjo është në fund të ditës. Nuk është meraku i madh i përdorimit të këtyre pronave publike”, deklaroi Agalliu. Por propozimi i PD për ta hequr nga rendi i ditës nuk u miratua, pasi vetëm 5 deputetë opozitarë votuan pro heqjes nga rendi i ditës.
Pronat shtetërore shkëmbehen me privatet, Lulzim Basha: Ligj korruptiv, po imitohet skema e inceneratorëve
Data
