Problemet me e-Albania shtyjnë afatin e kredive të buta në Tiranë, Bashkia: Aplikimet deri më 22 maj

Data

Bashkia e Tiranës ka shtyrë zyrtarisht afatin për aplikimet në programin e kredive të buta për vitin 2026, pas problemeve teknike dhe ndërprerjes së paralajmëruar të portalit “e-Albania”.

Vendimi u bë publik gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak nga kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e cila njoftoi se aplikimet do të pranohen deri më 22 maj.

Sipas saj, procesi i aplikimit kishte nisur më 20 prill dhe fillimisht ishte parashikuar të mbyllej më 19 maj, por ndërprerja e funksionimit të portalit “e-Albania” nga data 15 deri më 18 maj ka detyruar institucionin vendor të zgjasë afatin.

“Deri më sot janë kryer rreth 2600 aplikime. Duke marrë parasysh problematikat dhe ndërprerjen e njoftuar të portalit, ditët kur sistemi nuk do të funksionojë do të kompensohen me shtyrje të afatit deri më 22 maj”, deklaroi Ristani.

Ajo theksoi gjithashtu se Bashkia është e gatshme të marrë masa të tjera nëse do të ketë nevojë për shtyrje të mëtejshme, me qëllim që asnjë qytetar të mos mbetet jashtë programit për shkak të problemeve teknike.

“Çdo qytetar që dëshiron të aplikojë nuk duhet të penalizohet nga mosfunksionimi i sistemit”, shtoi ajo.

Portali “e-Albania” ka njoftuar më herët se do të jetë jashtë funksionit për shkak të një procesi përditësimi dhe optimizimi teknik në periudhën 15 maj ora 22:00 deri më 18 maj ora 08:00.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related