Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka deklaruar se Reforma Administrativo-Territoriale duhet të ndërtohet përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe jo si një vendimmarrje e njëanshme nga qeveria.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në Fier, ku mori pjesë si bashkëdrejtues i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Boçi theksoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve dhe të forcave politike në hartimin e reformës.
“Secila palë ka qëndrimet e veta të sakta në raport me një reformë shumë të rëndësishme siç është Reforma Territoriale”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se megjithëse fjala “bashkë” tingëllon pozitive, procesi kërkon respektim të balancave politike dhe konsultim real.
Boçi u ndal edhe te rëndësia e Qarkut të Fierit, duke e cilësuar atë si një territor me peshë të madhe demografike, ekonomike dhe kulturore.
Sipas tij, mendimet e qytetarëve duhet të jenë pjesë e konkluzioneve përfundimtare të reformës dhe të merren në konsideratë edhe propozimet e opozitës.
“Nuk mund të realizohet nga qeveria në zyrat e saj dhe as si një vendim i paracaktuar politik”, deklaroi Boçi.
Ai shtoi se reforma nuk mund të ndërtohet vetëm nga ekspertët dhe komisioni politik, por duhet të reflektojë edhe nevojat dhe kërkesat e komuniteteve lokale.
