Kryeministri Edi Rama ka vendosur t’i rikthehet turit të diasporës, duke synuar të mobilizojë mbështetje nga shqiptarët në New York në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Takimi, që do të zhvillohet më 26 tetor në orën 11:00, është një mundësi për të angazhuar emigrantët në procesin politik. Në përgatitje të këtij eventi, mësohet se ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh dhe Drejtues i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, do të niset më 20 tetor drejt SHBA-ve për të krijuar lidhje dhe për të koordinuar aktivitetet. Ky tur ka si objektiv nxitjen e pjesëmarrjes aktive të diasporës në jetën politike të vendit. Rama shpreson të arrijë rezultate të mira në mbledhjen e votave nga shqiptarët jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025. Kjo nismë tregon rëndësinë e diasporës në strategjinë e tij zgjedhore.
Detajet
Në vitin 2025, kohë në të cilën pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare, Diaspora shqiptare ka mundësi të votojë nga vendi ku jeton. Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për herë të parë, shqiptarët jashtë vendit do të kenë të drejtën e votës. Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur puna për krijimin e një aplikacioni ku çdo emigrant shqiptar që jeton jashtë, mund të shprehë dëshirën për pjesëmarrje në votime 4 muaj para ditës së zgjedhjeve dhe të ngarkojë dokumente personale, që vërtetojnë deklaratat e tij. Por paralelisht ndërtimin e infrastrukturës për votën e Diasporës, kryeministri Edi Rama nuk humbet kohë, duke ju rikthyer tureve të takimeve me shqiptarët që jetojnë jashtë.
Në 26 tetor kreu i qeverisë udhëton drejt SHBA-së, takon shqiptarët e Neë York-ut. Sipas njoftimit që iu është shpërndarë përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në SHBA, takimi do të zhvillohet në New York, në adresën Gotham Hall, 1356 Broadway, ndërsa kanë dal pamje se si do të organizohen në sallë. Ky është takimi i parë i Ramës me shqiptarët e Amerikës, pas nisjes së turit të Diasporës. Ndërkohë që më herët, për shkak të zgjedhjeve europiane në muajin qershor, kryeministri Edi Rama anuloi turin e takimeve me Diasporën e Gjermanisë.
Rama kishte planifikuar udhëtim edhe në Londër por që për shkak të situatës politike dhe zgjedhjeve të parakohshme atje, takimi u anulua për një datë tjetër. Mesa duket rikthimi i Ramës tek Diaspora lidhet jo vetëm me të drejtën e garantuar nga Kodi Zgjedhor por edhe shifrave dhe sondazheve që Rama dhe ekipi tij bëjnë vazhdimisht mbi votuesit potencial socialistë ne vend. Për këtë mbase nuk i mjaftojnë me votat e shqiptarëve në Shqipëri dhe as patronazhistët por i duhen edhe vota e Diasporës.
