Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia mund të tërhiqet nga tregu europian i gazit dhe të ridrejtojë furnizimet e saj drejt tregjeve të tjera ndërkombëtare.
Komentet ai i bëri gjatë një deklarate për mediat në Kremlin, pas një takimi me ministrin e Jashtëm hungarez Peter Szijjarto.
Putin tha se Moska nuk ka ndërmend të presë që Bashkimi Europian të ndalojë importet e gazit rus, duke theksuar se vendi i tij mund të gjejë lehtësisht tregje alternative për eksportet energjetike.
Sipas presidentit rus, kriza energjetike që po përjeton Bashkimi Europian është pasojë e “politikave të gabuara” që autoritetet e bllokut kanë ndjekur prej vitesh.
Ai shtoi se Rusia mbetet e gatshme të furnizojë partnerët e saj me energji, por paralajmëroi se vendi i tij do të kërkojë tregje të reja nëse Europa vazhdon të kufizojë bashkëpunimin energjetik.
