Policia nuk autorizon protestën e PD para Kryeministrisë

Data

Policia e Tiranës ka njoftuar se nuk e ka autorizuar Partinë Demokratike për zhvillimin e protestës së paralajmëruar sot në orën 18:00 para Kryeministrisë.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë pas analizës së riskut, duke marrë në konsideratë incidentet e ndodhura në protestën e kaluar, ku pati persona të maskuar që hodhën molotovë dhe mjete piroteknike, duke lënduar punonjës policie. Po ashtu, autoritetet bëjnë me dije se kanë informacione për mundësi të veprimeve të dhunshme edhe në tubimin e sotëm.

Megjithatë, pavarësisht mosmarrjes përsipër të mbarëvajtjes së tubimit, Policia e Tiranës ka ndërmarrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Nga ora 15:00 e datës 20.02.2026, deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia apelon që qytetarët të shmangin lëvizjen në këto akse dhe të përdorin rrugë alternative, si dhe të denoncojnë çdo veprim të dhunshëm apo paligjshmëri që mund të konstatojnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related