Aktorja Juli Emiri, gjatë fjalës së saj në protestën e opozitës, ironizoi mënyrën se si sot flitet për përmbysjen e një regjimi, duke sjellë në vëmendje protestat historike të viteve 1990–1991 që çuan në rrëzimin e diktaturës komuniste.
Ajo theksoi se liria nuk u fitua me debate televizive, analiza apo studio luksoze, por me njerëz të zakonshëm që dolën në shesh me guxim dhe sakrificë. Emiri kritikoi ata që, sipas saj, pretendojnë të flasin në emër të popullit nga kolltukët mediatikë, pa qenë të gatshëm të përballen realisht me pushtetin.
“Po turp s’ju vjen? A rrëzohet kështu diktatura?”, u shpreh ajo, duke shtuar se frymëzimi i viteve ’90 erdhi nga dhimbja, varfëria dhe dëshira për liri, jo nga retorika boshe. Aktorja bëri thirrje që ky frymëzim të rikthehet, përballë padrejtësive, vjedhjeve dhe dhunës që, sipas saj, po rëndojnë sot shoqërinë shqiptare.
