Familjet e mbetura pa strehim nga tërmeti i vitit 2019 i kanë varur shpresat te fushata elektorale e këtij viti për të marrë një zgjidhje, ndërkohë që opozita në Durrës akuzon pushtetin se i ka përdorur paratë publike për tërmetin si mjet për të siguruar vota. Për shumë familje të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 në qarkun e Durrësit, fushata elektorale për zgjedhjet e 11 majit është një moment shprese që premtimet e dhëna për vite me radhë të bëhen më në fund realitet.
“Po na sorrollasin, nuk na japin një datë. Shpresa na ka mbetur,” thotë Hava Lleshi në Thumanë, e cila bashkë me familjen e saj mezi pret të marrë në dorëzim fondin e rindërtimit dhe të ndërtojë shtëpinë e vet. Bashkë me dy fëmijët e mitur, ajo jeton mes kontenierit dhe shtëpisë së pabanueshme, ku në ditë-netët e ftohta të dimrit dhe në këtë situatë të ngarkuar virale, mund të ndezë sobën e druve dhe të ngrohen.
Më shumë se pesë vjet pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, procesi i rindërtimit në qarkun e Durrësit mbetet një çështje problematike, duke theksuar mosplotësimin e premtimeve të bëra për rikthimin e familjeve në shtëpitë e tyre. Pavarësisht përpjekjeve dhe fondeve të alokuara, bashkitë Durrës, Shijak dhe Krujë tregojnë ritme dhe rezultate të ndryshme në këtë proces.
