Situata në landfillin e Bushatit mbetet kritike, pasi vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive edhe këtë të martë, pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme të forcave zjarrfikëse. Flakët janë riaktivizuar sërish, të favorizuara edhe nga era, ndërsa tymi i dendur ka përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në zonë.
Banorët shprehen se ndotja ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme dhe në shëndet, duke e cilësuar situatën si të papërballueshme. Ata tregojnë se kanë vështirësi në frymëmarrje dhe nuk mund të hapin dritaret apo të jetojnë normalisht në shtëpitë e tyre.
Një banore e zonës, e cila vuan nga astma, u shpreh se gjendja është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të tymit dhe ndotjes. Ajo tha se edhe uji dhe ambienti në shtëpi janë ndotur, ndërsa familjarët janë detyruar të largohen nga zona për shkak të kushteve të vështira.
Një tjetër banor theksoi se situata është alarmante dhe se ndotja nga mbetjet e djegura po ndikon rëndë në shëndetin e komunitetit. Sipas tij, banorët ndihen të braktisur dhe nuk dinë ku të drejtohen për zgjidhje.
Ndërkohë, forcat zjarrfikëse vijojnë punën për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve, ndërsa shqetësimet për ndikimin afatgjatë në shëndetin e banorëve mbeten të larta.
