Përçarje dhe tensione janë shfaqur mes fermerëve pas takimit me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla, dhe ministrin e Financave, Petrit Malaj, zhvilluar pas protestës kundër skemës së re bujqësore.
Një përfaqësi prej 10 fermerësh mori pjesë në një takim që zgjati rreth dy orë, ku sipas tyre u arrit dakordësi për rishikimin e skemës në muajin shtator. Gjithashtu, ata bënë të ditur se ministri u kishte komunikuar se nuk do të ketë heqje të plotë të akcizës për naftën, por një ulje prej rreth 20%.
Megjithatë, kjo marrëveshje nuk është pritur mirë nga të gjithë fermerët. Një pjesë e tyre, përfshirë edhe blegtorë, kanë kundërshtuar hapur dakordësinë, duke e cilësuar atë të pamjaftueshme dhe duke kërkuar masa më të forta mbështetëse.
Pas përfundimit të takimit, situata u tensionua jashtë Ministrisë së Bujqësisë, ku pati përplasje verbale mes vetë fermerëve, duke reflektuar ndarjet e brendshme mbi mënyrën se si duhet të vijojë protesta dhe negociatat me qeverinë.
Në thelb të debatit mbetet kërkesa për uljen e kostove të prodhimit dhe mbështetje më të madhe financiare, ndërsa rishikimi i skemës në shtator shihet nga disa si një zgjidhje e vonuar.
