Shtetasi portugez Ruben Saraiva është paraqitur sërish në Gjykatën e Lezhës në kuadër të procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij.
Në seancën e radhës pritet që mbrojtja të paraqesë konkluzionet përfundimtare lidhur me çështjen. Saraiva akuzohet për vrasjen e biznesmenit Ardjan Nikulaj, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2023 në qytetin e Shëngjinit.
Më herët, Prokuroria e Lezhës ka dhënë pretencën duke kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin portugez.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës Kujtim Cakrani ka deklaruar se klienti i tij është i pafajshëm dhe se sipas tij nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme që e lidhin Saraivën me krimin.
Pas paraqitjes së konkluzioneve nga pala mbrojtëse, pritet që trupi gjykues të tërhiqet për të marrë vendimin përfundimtar për këtë çështje.
