“Lubia mezi siguronte bukën”, Berisha sulmon Ballukun: U vodhi shqiptarëve 300 apartamente, përfitoi 15 supermarkete dhe dy jahte

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij përpara mbështetësve të Foltores demokrate në qytetin e Korçës, ka lëshuar akuza të forta ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e akuzuar për pasurim të paligjshëm dhe abuzim me fondet publike.

Berisha deklaroi se Balluku ka kaluar nga një jetë e vështirë ekonomike në Greqi, ku sipas tij punonte si babysitter, në një milionere brenda pak vitesh, duke shfrytëzuar pushtetin dhe taksat e shqiptarëve. Ai e cilësoi këtë transformim si simbol të korrupsionit të qeverisë Rama.

Sipas Berishës, Balluku ka përfituar pasuri të shumta gjatë kohës që ka qenë në qeveri, duke përmendur konkretisht 300 apartamente, dy jahte luksoze dhe 15 supermarkete. Kreu i PD-së theksoi se këto pasuri janë ndërtuar, sipas tij, mbi vjedhjen e fondeve publike dhe aferat korruptive në infrastrukturë.

“300 apartamente, i shikoni ju? Lubia që mezi siguronte bukën në rrugët e Athinës si babysitter, sot u ka vjedhur shqiptarëve 300 apartamente. Me dy jahte, me 15 supermarkete. Na thotë: ndërtoja unë rrugën dhe ma ktheni në apartamente,” u shpreh Berisha.

Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama për mbrojtje politike ndaj Ballukut dhe për pengim të drejtësisë, duke theksuar se mazhoranca po refuzon t’i hapë rrugë hetimeve të plota duke mos lejuar heqjen e imunitetit.

Berisha solli si krahasim periudhën e qeverisjes së Partisë Demokratike, duke deklaruar se edhe në kushte konfliktesh me drejtësinë, deputetëve të PD-së u është hequr imuniteti sa herë është kërkuar nga organet ligjzbatuese.

“Edhe kur e kishim armike kryeprokuroren, nuk na shkoi kurrë ndërmend të mos hiqnim imunitetin e deputetëve tanë. Ndodhi edhe me Ilir Metën, ai dha dorëheqjen dhe u përball me drejtësinë si qytetar i thjeshtë,” tha Berisha.

Në përfundim, kreu i PD-së deklaroi se qeveria Rama dhe zëvendëskryeministrja Balluku “i kanë ditët e numëruara”, duke u shprehur i bindur se opozita do ta rrëzojë pushtetin aktual, ashtu siç u rrëzuan, sipas tij, regjimet e së shkuarës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related