Po ktheheshin nga festa e Krishtlindjeve/ Familja shuhet në një aksident tragjik, mbijeton vetëm djali 3-vjeçar

Data

Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur shtetin e Teksasit në Shtetet e Bashkuara, ku tre anëtarë të së njëjtës familjeje humbën jetën, ndërsa i vetmi i mbijetuar është djali i tyre 3-vjeçar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit, teksa familja po kthehej nga një festë e Krishtlindjeve. Automjeti me të cilin udhëtonin u përplas nga një makinë tjetër që, sipas autoriteteve, drejtohej nga një shofer nën ndikimin e alkoolit.

Viktimat janë identifikuar si 26-vjeçari Diego Pena Jr., bashkëshortja e tij 27-vjeçare Lizbeth Rodriguez Contreras dhe vajza e tyre 5-vjeçare, Camila Pena. Nëna dhe vajza ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa babai u dërgua në spital në gjendje kritike, ku fatkeqësisht humbi jetën disa orë më vonë.

I vetmi që i mbijetoi aksidentit është djali 3-vjeçar i çiftit, Diego, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ai pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të plagëve të marra, ndërsa gjendja e tij shëndetësore raportohet e qëndrueshme.

Sipas policisë, aksidenti u shkaktua nga 27-vjeçarja Majesty Faith Lee, e cila dyshohet se ishte në gjendje të dehur dhe kaloi në korsinë e kundërt të lëvizjes. Ajo është arrestuar dhe po mbahet në burgun e Qarkut Fort Bend, me një garanci prej 1.050.000 dollarësh.

Sherifi i qarkut, Eric Fagan, e cilësoi ngjarjen si një paralajmërim të fortë për rreziqet e drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit, duke theksuar se një vendim i papërgjegjshëm mund të shkatërrojë jetë brenda pak sekondash.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related