Nga prag lufte në tryezë negociatash, Trump anulon sulmet ndaj Iranit dhe flet për marrëveshje të afërt, Teherani…

Data

Nga prag lufte në tryezë negociatash, Trump anulon sulmet ndaj Iranit dhe flet për marrëveshje të afërt, Teherani…
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi dje se ka anuluar sulmet e planifikuara kundër Iranit në mbrëmje, sepse “pikat përfundimtare” të një marrëveshjeje midis palëve janë miratuar edhe nga udhëheqja e lartë e Republikës Islamike. “Bazuar në faktin se diskutimet me Republikën Islamike të Iranit janë sjellë në nivelin më të lartë të udhëheqjes iraniane dhe janë miratuar, unë, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam anuluar sulmet dhe bombardimet e planifikuara kundër Iranit”, shkroi Trump në Truth Social.

Burime i thanë CNN se ndërmjetësit kanë arritur disa “përparime” dhe janë optimistë të kujdesshëm pas përpjekjeve të udhëheqësve rajonalë për të zgjidhur pikat kyçe të ngërçit.  Sipas Trumpit, është arritur një “marrëveshje e shkëlqyer” me Iranin dhe se ajo do të nënshkruhet ndoshta gjatë fundjavës. Ai theksoi se dokumenti ishte në fazën e tij përfundimtare dhe finalizimi ishte i mundur në ditët e ardhshme.

Trump shtoi se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet menjëherë pas nënshkrimit, i cili do të zhvillohet në Evropë me praninë e zëvendëspresidentit JD Vance. Presidenti amerikan shtoi se ka informuar Benjamin Netanyahun dhe Presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan. Nga ana tjetër, Irani ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump se është arritur një draft marrëveshje mes palëve për t’i dhënë fund konfliktit.

Mediat shtetërore në Teheran kanë njoftuar se Irani ende nuk ka miratuar asnjë tekst për një marrëveshje me SHBA-në. Sipas një “burimi të informuar” në Iran, nuk është miratuar asnjë tekst për memorandumin fillestar të mirëkuptimit me Shtetet e Bashkuara. Burimi i brendshëm, që thuhet se është pranë ekipit negociator të republikës islamike, u distancua nga pretendimet e Presidentit Trump, raportoi agjencia e lajmeve Fars e Iranit.

Marrëveshja

Përtej deklaratave kontradiktore të Uashingtonit dhe Teheranit, arritja e një marrëveshjeje mbetet një nevojë politike dhe strategjike, veçanërisht për Trump. Votuesit amerikanë tashmë po e lidhin rritjen e çmimeve të karburanteve me politikat e administratës së tij. Një përkeqësim i mëtejshëm i situatës mund të ndikojë negativisht te republikanët në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor.

Në këto rrethana, Trump ka nevojë për një marrëveshje me Iranin. Rikthimi në situatën para luftës duket i pamundur, ashtu si edhe një marrëveshje e ngjashme me atë të vitit 2015, të negociuar nga Barack Obama për kufizimin e programit bërthamor iranian dhe e anuluar më vonë nga vetë Trump. Objektivi më realist për Uashingtonin mund të jetë një marrëveshje e përkohshme që do të siguronte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit në këmbim të një armëpushimi më afatgjatë, i cili me kalimin e kohës mund të shndërrohej në paqe të qëndrueshme.

Për ta arritur këtë, do të nevojiten stimuj ekonomikë, ndërsa kërcënimi i forcës ushtarake do të vazhdojë të mbetet pjesë e ekuacionit. Një marrëveshje e tillë do të ishte e brishtë dhe jo veçanërisht e favorshme për prestigjin amerikan. Megjithatë, sipas analizës së revistës britanike The Economist, ajo do të ishte alternativa më pak e dëmshme krahasuar me skenarët e tjerë të mundshëm. Pavarësisht ambicieve të Trumpit për ta paraqitur konfliktin si një fitore historike, lufta kundër Iranit ka pasur një kosto të konsiderueshme për Shtetet e Bashkuara.

Irani kërcënon Elon Musk

Nga ana tjetër, Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve Fars raportoi dje se Republika Islamike e Iranit po shqyrton mundësinë e sulmit ndaj aseteve të biznesmenit amerikan Elon Musk në rajonin e Lindjes së Mesme, duke i konsideruar ato si “objektiva legjitime”. Sipas burimeve ushtarake të cituara nga Fars, Irani akuzon forcat amerikane dhe izraelite se po përdorin shërbimet e internetit satelitor Starlink të kompanisë SpaceX të Musk për operacione ushtarake në zonë.

Si rezultat, stacionet tokësore të Starlink të vendosura në Katar, Jordani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Oman, së bashku me aksionarët e SpaceX, janë futur në listën e mundshme të objektivave. “Republika Islamike e Iranit rezervon të drejtën për të sulmuar të gjitha objektet që lidhen me pronat e menaxhuara nga Musk në rajon dhe në territoret e pushtuara”, ka deklaruar një burim ushtarak për agjencinë Fars. Starlink, shërbimi i internetit me bazë satelitore i SpaceX, është kritikuar prej kohësh nga Teherani, i cili e akuzon atë se mundëson komunikimin e forcave armike. Derisa nuk ka konfirmim zyrtar nga qeveria iraniane për plane konkrete veprimi, deklarata e publikuar nga media shtetërore shihet si një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj interesave komerciale të Musk në rajon.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related