“‘Po gënjeni me zë dhe figurë!’ Përplasja e ashpër Tabaku–Malaj në Kuvend për fshirjen e detyrimeve tatimore”

Data

Një debat i fortë ka shpërthyer sot në Kuvend midis ministit të Financave, Petrit Malaj, dhe deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, lidhur me kërkesat për informacion mbi procesin e fshirjes së detyrimeve tatimore dhe doganore.

Ministri Malaj akuzoi deputeten Tabaku se kishte dhënë informacion të pavërtetë në publik, duke pretenduar se ajo kishte dërguar katër shkresa zyrtare në Ministrinë e Financave dhe se një prej tyre kishte një muaj që priste përgjigje. Sipas tij, dokumentacioni nga Tabaku kishte mbërritur vetëm një javë më parë.

“E nderuar zonja Tabaku, nuk e kuptoj si mund të gënjeni me zë dhe figurë,” deklaroi Malaj. Ai shtoi se kërkesa e deputetes ishte në kundërshtim me ligjet për mbrojtjen e të dhënave personale, duke theksuar se informacioni për debitorët nuk mund të jepet pa konsensusin e tyre. “Duhet t’i referoheni ligjit të procedurave tatimore. Informacioni që kërkoni nuk mund të ndahet,” tha ministri.

Ai theksoi se përfitues të fshirjes së detyrimeve janë rreth 202 mijë tatimpagues, duke shtuar se ata që janë nën hetim penal apo tatimor nuk përfitojnë nga këto masa.

Nga ana e saj, Jorida Tabaku reagoi menjëherë, duke akuzuar ministrin për gënjeshtra dhe “injorancë ligjore”.

“Zoti ministër, që të gënjesh kaq pa turp, por edhe të kesh injorancë ligjore, unë nuk e di… Ti i ke të dyja bashkë,” u shpreh Tabaku.

Tensionet përshkallëzohen: Bardhi dhe Balliu kërkojnë fjalën për procedurë

Pas debatit Tabaku–Malaj, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi fjalën për procedurë, por nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj Spahiu, refuzoi, duke e akuzuar opozitën për tentativë prishjeje të seancës.

“E kuptoj që doni ta prishni seancën, zoti Bardhi, por kjo s’ka për të ndodhur,” tha Spahiu.

Bardhi këmbënguli:

“Është rregullorja! Jepeni fjalën për procedurë!”

Ndërkohë, deputeti Klevis Balliu gjithashtu kërkoi fjalën nga vendi, por Spahiu e paralajmëroi të mos ndërhynte dhe më pas i tërhoqi vërejtjen sipas rregullores parlamentare.

Vetëm pas fjalës së ministrit të Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, Bardhi arriti të merrte fjalën për procedurë, duke akuzuar ministrin e Financave për shpifje:

“Duhej t’i tërhiqnit vëmendjen ministrit të Financave. Ai gënjeu këtu. Lexoni ligjet para se të flisni! Ju keni detyrimin të publikoni kompanitë që nuk kanë paguar detyrimet ndaj shtetit,” tha Bardhi.

Ai i kërkoi drejtueses së seancës që Kuvendi të zbatojë rregulloret dhe standardet, pa favorizuar asnjë palë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related