Anis Mehmeti mbetet një nga dilemat më të mëdha të Kombëtares shqiptare. Pavarësisht paraqitjeve mbresëlënëse në Championship, trajneri Silvinjo nuk e ka ftuar mesfushorin sulmues që nga vera e vitit 2023. Ndërkohë, vlera e tij në tregun europian është rritur në nivele rekord.
Sipas “Transfermarkt”, Mehmeti sot vlerësohet 10 milionë euro, duke shënuar një ngritje të jashtëzakonshme krahasuar me periudhën kur ishte pjesë e kuqezinjve, kur vlente vetëm 1.2 milionë euro.
Prej dy sezonesh, 24-vjeçari është lojtari më i rëndësishëm i Bristol Cityt, duke u kthyer në shtyllën kryesore të ekipit në Championship. Ai ka kontribuar me 6 gola dhe 6 asistime në 18 javët e para, statistika që e rendisin ndër më të mirët e kampionatit.
Interesant është fakti se, mes 669 lojtarëve të kategorisë së dytë më të rëndësishme të futbollit anglez, Mehmeti mban vendin e 32-të për vlerë tregu — një arritje e rrallë për një futbollist shqiptar në këtë nivel.
Në listën e lojtarëve më të shtrenjtë të Kombëtares shqiptare, kryesojnë:
- Armando Broja – 14 milionë euro
- Kristjan Asllani – 13 milionë euro
Ndërkohë, me 10 milionë euro, Mehmeti barazon Mirlind Dakun, i cili po kalon një formë të shkëlqyer me Rubin Kazan në Rusi.
Rritja e vlerës së Mehmetit shton edhe më shumë debatet për rikthimin e tij të mundshëm në Kombëtare, sidomos nëse vazhdon me këtë ritëm të lartë në kampionatin anglez.
