Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për efektivin e policisë Besart Kovaci, i cili u përfshi në përplasjen me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në një berberhane në fshatin Rrilë.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, Kovaçi ka deklaruar se ka qëlluar me armë për të neutralizuar situatën, pasi kishte konstatuar persona të armatosur dhe rrezik të menjëhershëm për jetën. Megjithatë, prokuroria e ka akuzuar për “shpërdorim detyre”, kërkesë që u pranua nga gjykata.
Si ndodhi përplasja me armë
Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e 1 shkurtit, kur një atentat i mirëorganizuar tronditi zonën e Rrilës. Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur rëndë 30-vjeçari Sokol Daci, pronari i berberhanes, i cili u godit me pesë plumba, edhe pse nuk ishte shënjestra kryesore.
Sipas hetimeve, autorët e dyshuar janë Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka, ky i fundit nip i ish-deputetit Ardian Ndoka. Në kërkim është shpallur edhe 21-vjeçari Merando Nikulaj, i cili dyshohet se ishte objektivi real i atentatit.
Konflikti i vjetër që çoi në atentat
Burime hetimore bëjnë me dije se përplasja lidhet me një konflikt të mëparshëm mes të rinjve të fiseve Ndoka dhe Nikulaj, i ndodhur gjatë verës në zonën e Shëngjinit, pranë një hoteli në pronësi të familjes Nikulaj. Konflikti kishte nisur pas një incidenti me motorë dhe kishte degraduar në përleshje fizike me shkopinj bejsbolli dhe sende të forta.
Merando Nikulaj ishte më herët subjekt i një procesi gjyqësor për këtë sherr, ndërsa ngjarja e asaj kohe ishte klasifikuar zyrtarisht si aksident rrugor, pa u hetuar në thellësi.
Pse dështoi atentati
Sipas policisë, atentati dështoi për shkak se në ambientet e berberhanes ndodhej oficeri Kovaçi, i veshur civil, i cili reagoi me armë sapo konstatoi rrezikun. Hetimet sugjerojnë se në vendngjarje ndodheshin edhe persona të tjerë nga fisi Nikulaj, përfshirë të afërm të një biznesmeni të vrarë tre vite më parë.
Pavarësisht pretendimit të policit se veproi për të parandaluar një vrasje, drejtësia vendosi që ai të përballet me hetim nga qelia, ndërsa çështja pritet të sjellë zhvillime të tjera të forta në ditët në vijim.
