Nga ambientet e Kryeministrisë, gjatë aktivitetit përkujtimor për katër protestuesit e vrarë më 21 janar, kryeministri Edi Rama ka rikthyer në vëmendje ngjarjet e rënda të 15 viteve më parë, duke sulmuar drejtpërdrejt ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili në atë kohë drejtonte qeverinë.
Rama deklaroi se udhëheqja e atëhershme reagoi ndaj protestës së opozitës me dhunë ekstreme, duke e cilësuar përgjigjen e shtetit si “plumb ballit”. Sipas tij, Kryeministria ishte shndërruar në një godinë të militarizuar, e rrethuar me tela me gjemba dhe e mbrojtur nga forca të armatosura.
“15 vite më parë, kjo godinë ishte e barikaduar nga një përzierje e Gardës së Republikës dhe struktura paramilitare të lidhura me kryeministrin e asaj kohe. Tela me gjemba ishin shtrirë gjithandej pas gardhit të hekurt që rrethonte Kryeministrinë, pas sulmit të armatosur të vitit 1998”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se ajo periudhë përfaqëson një nga momentet më të errëta të marrëdhënies mes pushtetit dhe qytetarëve, duke nënvizuar se 21 janari mbetet një plagë e hapur për demokracinë dhe drejtësinë në vend.
