Një 30-vjeçar ka mbetur i plagosur me mjet prerës në zonën e Shëngjinit, në një ngjarje të regjistruar pasditen e kësaj të mërkure në rrugën e Kunës.
I plagosuri, i identifikuar me inicialet R. L., është transportuar në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas policisë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në një njoftim zyrtar, Policia bëri të ditur se është ngritur një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
“Rreth orës 16:20, jemi njoftuar se në Spitalin Rajonal Lezhë është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi R. L., rreth 30 vjeç, i cili dyshohet se është plagosur me mjet prerës (thikë) në dorë.
Shtetasi ndodhet në kujdesin e mjekëve, duke marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, është ngritur grupi i posaçëm hetimor, i cili po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.”
Deri më tani, policia nuk ka bërë të ditur motivet e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë.
