Ekonomia globale pritet të regjistrojë ritmin më të ulët të rritjes që prej përfundimit të pandemisë së COVID-19, ndërsa tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe pasiguritë në tregjet ndërkombëtare po ushtrojnë presion mbi aktivitetin ekonomik botëror.
Në raportin më të fundit “Perspektivat Ekonomike Globale”, Banka Botërore parashikon që ekonomia globale të rritet me vetëm 2.5% gjatë vitit 2026, nga 2.9% që ishte rritja e regjistruar një vit më parë.
Sipas institucionit financiar ndërkombëtar, perspektivat ekonomike janë përkeqësuar për rreth dy të tretat e ekonomive të botës krahasuar me vlerësimet e publikuara në fillim të vitit.
“Parashikimet për dy të tretat e ekonomive janë ulur krahasuar me janarin. Rritja globale pritet të përmirësohet në 2.8% në vitin 2027, por do të mbetet nën mesataren e dekadës së kaluar”, thuhet në raport.
Ballkani Perëndimor me rritje modeste
Për vendet e Ballkanit Perëndimor, Banka Botërore parashikon një rritje mesatare ekonomike prej 2.9%.
Kosova pritet të ketë performancën më të mirë ekonomike në rajon me një rritje prej 3.7%, e ndjekur nga Shqipëria me 3.4%.
Parashikimet për vendet e tjera të rajonit janë:
- Kosova – 3.7%
- Shqipëria – 3.4%
- Mali i Zi – 2.9%
- Maqedonia e Veriut – 2.9%
- Serbia – 2.7%
- Bosnja dhe Hercegovina – 2.5%
Energjia dhe inflacioni mbeten rreziqet kryesore
Raporti paralajmëron se përshkallëzimi ose zgjatja e konfliktit në Lindjen e Mesme mund të ndikojë ndjeshëm në tregjet globale, duke përkeqësuar më tej perspektivat ekonomike.
Një nga faktorët kryesorë të shqetësimit mbetet situata në Ngushticën e Hormuzit, një korridor strategjik për transportin e energjisë. Sipas Bankës Botërore, tensionet në rajon kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës Brent me rreth 36% krahasuar me vitin 2025.
Përveç energjisë, presion pritet të ketë edhe mbi tregjet bujqësore. Institucioni ndërkombëtar parashikon rritje të çmimeve të plehrave kimike, gjë që mund të reflektohet më pas në shtrenjtimin e produkteve ushqimore në mbarë botën.
Për pasojë, inflacioni global parashikohet të arrijë në rreth 4% gjatë këtij viti, nga mesatarisht 3.3% që ishte në vitin e kaluar.
Ekspertët e Bankës Botërore theksojnë se zhvillimet në Lindjen e Mesme do të jenë vendimtare për ecurinë e ekonomisë globale në muajt në vijim, ndërsa paralajmërojnë se çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike, investimet dhe stabilitetin financiar ndërkombëtar.
