Petro Koçi: Ndaj protestës për Zvërnecin s’duhet të jemi as reaksionarë e as naivë

Data

Deputeti socialist Petro Koçi ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, duke deklaruar se debati nuk duhet parë as në mënyrë reaksionare dhe as me naivitet.

I ftuar në një studio televizive, Koçi u shpreh se protesta e nisur pas incidentit me një protestues në Zvërnec ka marrë tashmë dimensione më të gjera politike dhe shoqërore.

Sipas tij, në protestë janë përfshirë grupe me motive të ndryshme, duke nisur nga ambientalistët dhe aktivistët e shoqërisë civile, deri te përfaqësues të partive politike që kërkojnë protagonizëm publik.

“Protesta në Tiranë nuk lidhet më vetëm me incidentin apo me Zvërnecin. Ka motive nga më të ndryshmet dhe përfshin kategori të ndryshme njerëzish që shprehin pakënaqësi për arsye të ndryshme”, tha Koçi.

Deputeti socialist theksoi se investimi i planifikuar në Zvërnec ka rëndësi jo vetëm ekonomike, por edhe gjeostrategjike për Shqipërinë. Ai argumentoi se kundërshtimi ndaj projektit nuk vjen vetëm nga shqetësimet mjedisore, por edhe nga interesa ekonomike dhe politike.

“Ky investim është i rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe për pozicionin e Shqipërisë në rajon. Ka aktorë të ndryshëm që nuk e shohin me sy të mirë realizimin e tij”, u shpreh ai.

Duke komentuar veprimet e SPAK lidhur me pronësinë e tokave në zonë, Koçi vlerësoi ndërhyrjen e Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar hetim të plotë për çdo dyshim mbi përfitime të paligjshme apo manipulime me pronat.

“Më vjen mirë që SPAK ka ndërhyrë. Çdo person që ka përfituar në mënyrë të padrejtë duhet të japë llogari para ligjit, por kjo nuk duhet të pengojë investimin”, deklaroi ai.

Koçi komentoi edhe reagimet që kanë ardhur nga Greqia lidhur me çështjen, duke i cilësuar si ndërhyrje të jashtme në një debat të brendshëm shqiptar.

Në përfundim, ai theksoi se zhvillimet rreth Zvërnecit po shfrytëzohen nga aktorë të ndryshëm për interesa politike, ekonomike dhe ideologjike, duke kërkuar që debati të zhvillohet me qetësi, transparencë dhe në interes të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related