Nga 1 korriku nis programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, 250 milionë euro në mbështetje të bizneseve

Data

Qeveria shqiptare do të nisë më 1 korrik zbatimin e programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një skemë financimi që synon të mbështesë bizneset e vogla dhe të mesme në zgjerimin e aktivitetit të tyre, me fokus të veçantë edhe sektorin e bujqësisë.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, e cila theksoi se programi do të shoqërohet me një fushatë informuese dhe ndërgjegjësuese për sipërmarrësit shqiptarë.

“Zyrtarisht programi do të hapë dyert për të gjithë sipërmarrjen shqiptare nga data 1 korrik”, deklaroi Ibrahimaj.

Sipas saj, fondi i përgjithshëm i programit arrin në 250 milionë euro dhe synon të rrisë aksesin e bizneseve në financim, duke nxitur investimet, zgjerimin e aktivitetit dhe rritjen e produktivitetit.

Një element kyç i skemës është edhe garancia sovrane prej 30 milionë eurosh, e cila do të reduktojë riskun për institucionet financiare dhe do të mundësojë kredi me norma interesi të favorshme, që pritet të luhaten nga 2 deri në 3 për qind.

Në kuadër të këtij programi, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të kenë mundësi të përfitojnë financime me kushte më lehtësuese për të zhvilluar aktivitetin e tyre ekonomik.

Gjatë mbledhjes së qeverisë u zhvillua gjithashtu një seancë dëgjimore me drejtuesit e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, e cila po përgatitet të nisë aktivitetin e saj kreditues.

Drejtuesi i institucionit, Arben Malaj, deklaroi se banka do të ketë potencial financues që varion nga 500 milionë deri në 1 miliard euro dhe do të fokusohet kryesisht në sektorët e nënfinancuar të ekonomisë, si dhe në projektet strategjike të qeverisë shqiptare.

“Koncepti i bankës është të financojë sektorët që aktualisht kanë më pak akses në kapital, si dhe projektet me rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit”, u shpreh Malaj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related