Avokati Edmond Petraj ka deklaruar se disa dosje në duart e SPAK po krijojnë alarm në politikë, ndërsa pritet zhvillimi i seancave paraprake për çështjet më të bujshme që përfshijnë figura të larta politike.
Sipas Petraj, dosja ndaj Sali Berishës ka kaluar për gjykim të zakonshëm dhe në proces pritet të thirren si dëshmitarë emra të rëndësishëm të politikës. Për Ilir Metën, ai theksoi se dosja ndodhet në fazën e seancës paraprake dhe se SPAK ka administruar një provë të re të ardhur nga Shtetet e Bashkuara, e lidhur me shuma financiare të dyshuara.
Ndërkohë, për çështjen ndaj Erion Veliajt, Petraj u shpreh se edhe kjo dosje pritet të kalojë për gjykim të zakonshëm, pa u kërkuar gjykim i shkurtuar.
Avokati komentoi gjithashtu situatën e gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka, duke thënë se po tentohet të bëhet “kokë turku” në mënyrë të padrejtë. Sipas tij, nuk ekzistojnë viza të falsifikuara apo masa ndaluese ndaj saj dhe se çdo pretendim i kundërt nuk mbështetet në prova ligjore. Petraj theksoi se gjyqtarja ka kaluar procesin e vettingut dhe nuk ka asnjë procedim penal ndaj saj.
Ai shtoi se sulmet ndaj gjyqtares janë të qëllimshme dhe synojnë të godasin sistemin e drejtësisë në një moment delikat për hetimet ndaj politikës.
