“Peshku i madh”, Monikës i duhet vetëm një laps e një letër

Data

Çifti i fuqishëm politik i të paktën dy dekadave të fundit, Meta-Kryemadhi, prej javës së kaluar ka prekur fundin. Ilir Meta, ish-kryeministër, ish-kryeparlamentar dhe ish-president, tashmë është në paraburgim, i dyshuar për vepra shumë të rënda penale që lidhen me detyrën zyrtare-korrupsion, fshehje pasurie e pastrim parash.

Për të njëjtat akuza është e dyshuar edhe (ish) bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Penalizimi i tyre, me ose pa prova, ka gjetur një konsensus të gjerë publik. Përpunimi i këtij opinioni ka nisur vite më parë, nga “opinionistët” e Partisë Socialiste, edhe kur Meta-Kryemadhi ishin në aleancë me kryeministrin Edi Rama.

Përgatitja e terrenit dhe arrestimi “spektakolar” me zvarritje i Ilir Metës është preludi i një dimri shumë të gjatë penal, por edhe politik të ish-bashkëshortëve.

Monika Kryemadhi fillimisht, e më tej edhe Ilir Meta, reaguan pas masave të lëshuara nga Gjykata e Posaçme me të vetmin qëndrim publik-arrestimet janë politike.

Nën këtë “hall” të Meta-Kryemadhit, gjatë javës u përfshi si “xhol” në lojë edhe ish-miku i tyre, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili, nga qelia e burgut ku gjendet për aferën e inceneratorëve, lëshoi pasthirrmën se “peshku i madh i korrupsionit” gjendet në telefonin e Monikës.

Kësaj pasthirrme, Kryemadhi iu përgjigj publikisht se “Peshku i madh në telefonin e saj është Edi Rama”.

Deklaratat e mbushura me emocione të përziera krijuan një lloj skene, e cila, jo vetëm për ata, por më shumë për publikun, ka nevojë të sqarohet. Mjaftojnë vetëm dy mjete fare të thjeshta-laps dhe letër.

Monika Kryemadhi, falë përvojës së saj politike, duhet të jetë në fazën e të kuptuarit se përballë “drejtësisë me regji”, siç e përcakton, ajo dhe Ilir Meta e kanë davanë e humbur.

Përpëlitjet për të bindur opinionin publik se hetimi dhe penalizimi i tyre është pa prova nuk duket se do të impresionojë “drejtësinë e turmave”, të krijuar pas Reformës në Drejtësi.

Në ndihmë të Kryemadhit mund të jenë vetëm lapsi dhe letra. Si edhe kërkesa për takim me Altin Dumanin e SPAK-ut, ose çdo “Duman” tjetër në Prokurorinë e Posaçme.

Monika Kryemadhi është një lojtare e dorës së parë në politikën e lartë shqiptare. Ajo ka qenë pjesëmarrëse aktive ose, më së paku, e pranishme kur Edi Rama dhe qeveria e tij hartuan koncesionet korruptive në Shëndetësi e tek inceneratorët; kur qeveria e Rilindjes ndau bregdetin dhe tokat më të mira publike tek një grush biznesmenësh; kur pasuritë kombëtare u shpërndanë si “qoka” për njerëz që do t’i shndërronin në vota.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related