Një port i madh dhe i thellë është përuruar në Peru në prani të presidentit kinez Xi. Aty janë investuar 3.5 miliardë dollarë, teksa kompania shtetërore kineze Cosco ka të drejta ekskluzive për ta përdorur atë
Ai është pjesë e “Rrugës së Re të Mëndafshit”. Porti i parë i kontrolluar nga Kina në Amerikën e Jugut është përuruar në Peru.
Portin e ri të thellë të Chancay-t e përuruan presidenti kinez Xi Jinping dhe Presidentja peruane Dina Boluarte. Ai ndodhet rreth 80 kilometra në veri të Limës, në bregun e Paqësorit. Ky është një “moment historik për Perunë”, deklaroi Boluarte në ceremoninë e inaugurimit, të cilën dy presidentët e ndoqën virtualisht, për arsye sigurie, nga pallati qeveritar në kryeqytetin peruan.
Porti është 60% në pronësi të kompanisë shtetërore kineze Cosco Shipping Ports dhe 40% të Volcan Compañía Minera peruane. Kongresi peruan ka miratuar një ligj që i garanton Coscos përdorimin ekskluziv të portit. Për këtë arsye, disa e kritikojnë ndërtimin. Gjithsej 3.5 miliardë dollarë (3.3 miliardë euro) do të investohen në ndërtimin e objektit portual. Në fazën e parë të zgjerimit, mund të trajtohen rreth një milion kontejnerë në vit.
