Metamorfoza e ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako. Nga fitorja e bashkisë në vitin 2007, në kthimin e tij me bekimin e Edi Ramës si numrin 1 i qarkut më të rëndësishëm në vend. I tërhequr zyrtarisht nga PS, Dako është i vetmi rast që kryeministri Rama nuk e anatemoi si pjesën tjetër të ish-bashkëpunëtorëve të ngushtë që u përballën me drejtësinë.
Me 308 vota më shumë se rivali Armand Teliti, kandidati i PS-së Vangjush Dako ishte befasia më e madhe në zgjedhjet lokale të vitit 2007. Fitoi Bashkinë Durrës, dy vite pasi e majta ishte dërmuar në këtë qytet. Sot, 17 vite më pas, Dako qëndron në “arrest shtëpie”, duke pasur llogari të hapura me drejtësinë shqiptare dhe njëkohësisht është një nga tre personat e parë të shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në të paktën dy episode, Vangjush Dako del në disa përgjime të grupeve të struktura kriminale, veçanërisht me ata të Shijakut, por akuzat ndaj tij nuk kanë lidhje me atë që shumë flasin në qytetin bregdetar të Adriatikut, por edhe përtej Atlantikut.
Pavarësisht akuzave publike për lidhje me grupe kriminale të organizuara dhe shpalljes non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me motivacionin për “korrupsion madhor”, SPAK e akuzon Vangush Dakon vetëm për “shpërdorim detyre”, vepër penale që dyshohet ta ketë kryer në dy raste gjatë kohës kur drejtonte Bashkinë e Durrësit.
Akuzat ndaj Dakos
Dikur Vangjush Dako shihej me “zili” në radhët e socialistëve, për shkak se konsiderohej një prej njerëzve më të besuar të kryeministrit, ndërsa qarku Durrës, fitonte bindshëm vota nën drejtimin e tij. Zbulimi i përgjimeve të dosjes së bujshme 339, ku Dako bisedonte me pjesëtarëve të grupit Avdylaj nga Shijaku, të cilët dyshohen se ndikuan dhe në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 2017, duket se ndikoi që karriera e Dakos të merrte tatëpjetën vetëm zyrtarisht, pasi “de facto” vijoi të ketë ndikimin e tij.
Në korrik të 2019, departamenti i shtetit njoftoi publikisht se ish-kryebashkiakut të Durrësit dhe familjes së tij i ndalohej hyrja në SHBA “për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion domethënës”.
Vendimi i Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo bënte me dije se Dako penalizohej për shkak të përfshirjes në korrupsion. Sipas njoftimit ligji i lejon Sekretarit të Shtetit të vendosë këtë sanksion “Kur ka informacion të besueshëm që zyrtarë të huaj janë përfshirë në korrupsion domethënës ose në kanë dhunuar të drejtat e njeriut”.
Në listë, ishin përfshirë fëmijët dhe bashkëshortja e tij të cilëve u ndalohej hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E ndërsa DASH e përshkroi vendimin për Dakon si “një sinjal i fortë i angazhimit të SHBA kundër korrupsionit”, kryeministri Edi Rama do të deklaronte hapur miqësinë e tij më kryebashkiakun e Durrësit.
“Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im. Nuk e përcakton Departamenti i Shtetit Amerikan kë kam mik. E përcakton morali dhe bindja ime. Edhe në burg të shkojë nesër, do jetë miku im,” – do të shprehej Rama në shkurt 2020 në emisionin “Opinion” në TV Klan.
Po në këtë vit, nga Prokuroria e Posaçme do të merrej nën hetim kryebashkiaku, por jo për veprat penale për të cilat ai përflitej qoftë edhe nga Departamenti i Shtetit.
Hetimi penal ndaj Dakos nisi mbi bazën e një kallëzimi të banorët e një pallati në lagjen nr.5 në Durrës, ndërtuar nga shoqëria “Fakle shpk”, i cili kishte pësuar dëmtime nga tërmeti.
Sipas prokurorisë, Vangjush Dako e zbardhi lejen e ndërtimit në favor të shoqërisë “Fakle shpk”, dy vite pasi pallati kishte përfunduar dhe banorët kishin nisur të banonin në të. Këto veprime të Dakos të kryera në kundërshtim me ligjin i hapën rrugë legalizimit të objektit të ndërtuar pa leje. Ndërsa rezulton se pallati nuk është ndërtuar bazuar në projektin e dorëzuar nga ndërtuesi, dokument që rezulton të jetë miratuar nga Bashkia.
