Një 46-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Shkodrës në fshatin Barbullush të Vaut të Dejës, në kuadër të operacionit të koduar “Neonët 5”.
Në pranga ka rënë shtetasi Gjergj Goli, i shpallur më herët në kërkim, i cili dyshohet si bashkëpunëtor në përshtatjen e dy banesave për kultivimin e bimëve narkotike kanabis, përmes ndriçimit artificial dhe pajisjeve elektrike.
Nga këto ambiente, disa javë më parë, policia kishte sekuestruar 583 bimë kanabisi, rreth 7.5 kilogramë lëndë narkotike si dhe 307 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar ndaj 46-vjeçarit masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale:
- kultivimi i bimëve narkotike,
- prodhimi dhe shitja e narkotikëve,
- vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
