Situata e krijuar nga zjarri masiv në Fier është përkeqësuar gjatë orëve të pasdites, ndërsa flakët, të favorizuara nga erërat e forta, kanë vijuar të përhapen në disa zona.
Policia e Shtetit njoftoi se, për shkak të rrezikut të lartë, është bllokuar qarkullimi i automjeteve në të dy drejtimet e segmentit rrugor “Qafa e Koshovicës–Cakran”, ndërsa strukturat e emergjencës vijojnë operacionet për vënien nën kontroll të zjarrit.
Sipas autoriteteve, vatra e zjarrit ka nisur pranë vendit të quajtur “Azotiku”, në fshatin Drizë, dhe më pas është përhapur drejt zonës së Qafës së Koshovicës, duke përfshirë sipërfaqe të pyllëzuara pranë fshatrave Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Drizë Myrtezaj dhe Plyg.
Për shkak të avancimit të flakëve, shërbimet e Policisë kanë evakuuar 11 familje nga banesat e tyre, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo të asfiksuar. Megjithatë, zjarri ka shkaktuar dëme materiale, duke djegur sipërfaqe të konsiderueshme toke, një automjet dhe një banesë.
Forcat zjarrfikëse, strukturat e Emergjencave Civile, Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura vijojnë ndërhyrjen në terren për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
