Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ralf Gjoni, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te situata e opozitës dhe çështja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
I ftuar në një studio televizive, Gjoni u shpreh kritik ndaj opozitës, duke theksuar se sipas tij ajo nuk ka reaguar fort ndaj skandaleve të fundit dhe se aktualisht funksionon më shumë si një “parti ndihmëse”.
“Opozitë nuk ka, ka një parti ndihmëse, kështu e quaj unë PD sot”, u shpreh Gjoni.
Duke folur për çështjen e Ballukut, ai tha se imuniteti i saj duhej të ishte hequr prej kohësh, ndërsa akuzoi mazhorancën se po përpiqet ta mbrojë.
Sipas tij, akuzat që lidhen me këtë çështje janë shumë më të mëdha se disa skandale të mëparshme politike, ndërsa theksoi se qytetarët presin që drejtësia të japë një përgjigje përfundimtare.
“Rrugët po rrëzohen, po bien urat. Na u shkatërruan makinat me këto rrugë që duken si në Afganistan. Dhe ky person me gjithë këtë arrogancë sfidon opinionin publik shqiptar që pret një gjykim”, deklaroi ai.
Gjoni shtoi gjithashtu se SPAK është një nga institucionet që sipas tij ka krijuar një farë shprese tek qytetarët për luftën kundër korrupsionit, ndërsa proceset hetimore duhet të vijojnë deri në zbardhjen e plotë të çështjeve.
