Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish gjatë fundjavës, pasi të dyja palët kanë raportuar sulme ndaj objektivave ushtarake pranë Ngushticës strategjike të Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Sipas raportimeve të BBC, Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) njoftoi se ka kryer atë që e cilësoi si “sulme vetëmbrojtëse” ndaj objekteve iraniane të radarëve dhe qendrave të komandës e kontrollit të dronëve në zonat e Gorukut dhe ishullit Qeshm.
Sipas ushtrisë amerikane, operacioni u ndërmor si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Iranit, përfshirë rrëzimin e një droni amerikan MQ-1, i cili sipas Uashingtonit po operonte në hapësirë ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike deklaroi se ka goditur një bazë ajrore të përdorur nga forcat amerikane, në përgjigje të sulmeve të fundit ndaj objektivave iraniane. Autoritetet iraniane nuk dhanë detaje mbi vendndodhjen e bazës së sulmuar.
Mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmi ishte drejtuar ndaj bazës nga ku, sipas Teheranit, ishin nisur operacionet amerikane kundër një kulle komunikimi në ishullin Sirri në Gjirin Persik, rreth 65 kilometra larg brigjeve jugore të Iranit.
Në një deklaratë të fortë, ushtria iraniane paralajmëroi se reagimi i saj do të jetë “krejtësisht i ndryshëm” në rast se sulmet amerikane përsëriten, duke sinjalizuar mundësinë e një përshkallëzimi të mëtejshëm ushtarak në rajon.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë strategjike me rëndësi globale, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve botërore të naftës dhe gazit. Për këtë arsye, çdo tension ushtarak në këtë zonë ndiqet me shqetësim nga tregjet ndërkombëtare dhe fuqitë globale.
Zhvillimet e fundit rrisin frikën për një përballje më të gjerë mes SHBA-së dhe Iranit, në një kohë kur Lindja e Mesme po përballet me tensione të larta në disa fronte njëkohësisht.
