Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përmbyllur fjalimin e tij në protestën e opozitës para Kuvendit të Shqipërisë, duke deklaruar se aksioni politik i opozitës do të vazhdojë.
Në fjalën e tij para protestuesve, Berisha falënderoi mbështetësit për pjesëmarrjen dhe theksoi se opozita nuk do të tërhiqet nga rruga që, sipas tij, synon rikthimin e shpresës dhe ndryshimeve politike në vend.
Ai u shpreh se protesta e zhvilluar sot ka ushtruar presion ndaj qeverisë dhe se aksionet e opozitës do të vijojnë edhe në të ardhmen.
“Ne do të fitojmë. Kjo është pranvera që do t’i rikthejë shpresën Shqipërisë. Do të vazhdojmë në rrugën e dinjitetit dhe të lirisë”, deklaroi Berisha gjatë fjalimit të tij.
Protesta e opozitës u zhvillua paralelisht me seancën plenare në Kuvend, ku mazhoranca rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të deputetes socialiste Belinda Balluku.
