Protestat e fermerëve grekë kanë hyrë në një fazë edhe më të tensionuar, duke u shtrirë sot në ishullin e Kretës, ku janë regjistruar përplasje të forta me forcat e policisë. Fermerët, të cilët prej ditësh protestojnë kundër politikave bujqësore dhe rritjes së kostove të prodhimit, kanë paralizuar aktivitetin në zonat kryesore të ishullit.
Aeroporti “Nikos Kazantzakis” në Heraklion është bllokuar nga të dy hyrjet, pasi dhjetëra traktorë dhe mjete të tjera bujqësore kanë mbërritur në portat kryesore të tij. Qarkullimi drejt aeroportit është thuajse i pamundur, ndërsa protestuesit kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen.
Në Hania, situata ka qenë edhe më e ashpër. Gjatë përplasjeve, protestuesit kanë përmbysur një automjet policie, ndërsa një furgon tjetër u dëmtua rëndë pasi u godit me gurë. Policia është detyruar të tërhiqet nga zona për të shmangur përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës.
Në rrugën Senetaki në Heraklion, policia ngriti barrikada për të ndaluar marshimin e fermerëve drejt aeroportit, por protestuesit deklaruan se “do të arrijnë atje me çdo kusht”. Tentativat për të çarë kordonin policor sollën përdorimin e gazit lotsjellës, gjë që shkaktoi incidente dhe rritjen e tensioneve.
Ndërkohë, mjetet bujqësore të parkuara në autostradë kanë bllokuar plotësisht aksin nga Heraklioni drejt aeroportit, duke sjellë kaos në trafikun e zonës dhe vonesa në fluturime.
Protestat pritet të vijojnë, ndërsa autoritetet greke nuk kanë dhënë ende një përgjigje konkrete për kërkesat e fermerëve, të cilët kërkojnë subvencione shtesë, ulje të kostove të prodhimit dhe rishikim të politikave të BE-së për bujqësinë.
