Protesta e zhvilluar përpara Kuvendit të Shqipërisë është përshkallëzuar në përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë, ndërsa situata është tensionuar pas përdorimit të mjeteve piroteknike.
Sipas raportimeve nga terreni, përveç hedhjes së vezëve dhe shisheve të ujit në drejtim të automjeteve të deputetëve, disa protestues kanë hedhur mjete piroteknike drejt kordonit policor, duke shkaktuar shpërthime dhe momente paniku në zonë.
Pas incidenteve, Policia e Shtetit ka nisur veprime për identifikimin e personave të dyshuar si autorë të hedhjes së mjeteve piroteknike. Burime nga terreni bëjnë me dije se disa persona janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për veprime të mëtejshme procedurale.
Sipas të njëjtave raportime, mes personave të shoqëruar ndodhet edhe Dritan Goxhaj. Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar nga Policia lidhur me akuzat konkrete apo statusin procedurial të të shoqëruarve.
Ndërkohë, forca të shumta policore dhe të FNSH-së vijojnë të jenë të angazhuara në sigurimin e perimetrit të Kuvendit, ndërsa situata në zonë mbetet e tensionuar.
