Kryeministri i Izraeli, Benjamin Netanyahu, ka përgëzuar liderin e opozitës hungareze Péter Magyar për fitoren në zgjedhjet parlamentare, duke sinjalizuar vazhdimësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Reagimi i Netanyahut vjen vetëm një ditë pasi Magyar arriti të mposhtë kryeministrin në detyrë Viktor Orbán, i cili prej vitesh konsiderohej një aleat i afërt dhe mik personal i liderit izraelit.
Në deklaratën e tij, Netanyahu e vlerësoi Orbanin si një “mik të vërtetë të Izraelit”, duke theksuar mbështetjen e tij të vazhdueshme në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, Orban ka qëndruar në krah të Izraelit në momente të vështira, duke kundërshtuar kritikat ndërkombëtare dhe duke mbështetur politikën e vetëmbrojtjes së vendit.
Njëkohësisht, përmes një reagimi në rrjetin social X, Netanyahu uroi fituesin e zgjedhjeve, Magyar, për suksesin e arritur dhe i uroi mbarësi në drejtimin e vendit. Ai theksoi se pret të vazhdojë bashkëpunimin me qeverinë e re hungareze, në funksion të forcimit të lidhjeve dypalëshe.
Deklarata e kryeministrit izraelit vjen në një moment të rëndësishëm politik për Hungarinë, ku ndryshimi i pushtetit shënon një kthesë të madhe pas një periudhe të gjatë dominimi nga Orban dhe partia e tij.
Megjithatë, mesazhi i Netanyahut tregon se, pavarësisht ndryshimeve politike, Izraeli synon të ruajë dhe të zhvillojë më tej marrëdhëniet strategjike me Hungarinë, duke u fokusuar në interesat e përbashkëta të dy vendeve.
