Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk e konsideron dorëheqjen si një opsion të afërt politik, pavarësisht protestave që po zhvillohen në vend kundër qeverisë së tij.
Në një intervistë për revistën italiane Vanity Fair Italia, Rama u shpreh se do të vijojë të qëndrojë në politikë për sa kohë ndjen motivim dhe energji për të drejtuar vendin.
“Deri sa të ndjej zjarrin e pasionit do të qëndroj”, deklaroi kryeministri.
Megjithatë, ai la të kuptohet se një moment simbolik për t’u larguar nga drejtimi i qeverisë mund të ishte anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Nëse Shqipëria do të pranohej në BE, mbledhja e parë si shtet anëtar do të ishte rasti më i mirë për të dhënë dorëheqjen”, tha Rama.
Gjatë intervistës, kryeministri komentoi edhe funksionimin e Bashkimit Europian dhe procesin e vendimmarrjes brenda unionit. I pyetur nëse mbështet ende heqjen e së drejtës së vetos në disa raste, ai u përgjigj pozitivisht.
“Absolutisht. Europa duhet të jetë si tavolina e një familjeje, ku ka disa hierarki. Nuk po them që të ketë kategori nënshtetasish, por Unioni nuk mund të funksionojë me miratimin e të gjithëve”, u shpreh ai.
Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur vendi po përjeton debat të fortë politik dhe protesta të vazhdueshme, ndërsa procesi i integrimit europian mbetet një nga objektivat kryesore të qeverisë shqiptare.
