Protesta kundër projektit të investimit në Zvërnec është përshkallëzuar mbrëmjen e sotme përpara Kryeministrisë, ku janë regjistruar përplasje mes qytetarëve dhe forcave të policisë.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, një grup protestuesish arriti të çajë kordonin e policisë të vendosur në hyrje të bulevardit, duke shtuar tensionet gjatë marshimit drejt selisë së qeverisë.
Situata u agravua më tej kur Policia e Shtetit angazhoi autobotët me ujë për shpërndarjen e turmës. Uji u hodh në drejtim të protestuesve, ndërsa në zonë vijojnë të jenë të pranishme forca të shumta të rendit.
Qytetarët, të mbledhur në protestën e katërt radhazi kundër projektit në Zvërnec, kanë kërkuar ndalimin e investimit dhe transparencë të plotë mbi procedurat e ndjekura për zhvillimin e zonës.
Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, protestuesit kanë vijuar qëndrimin e tyre pranë Kryeministrisë, duke bërë thirrje kundër projektit dhe duke kërkuar dëgjimin e kërkesave të tyre.
Ndërkohë, autoritetet nuk kanë raportuar deri tani për persona të lënduar, ndërsa situata mbetet dinamike dhe nën monitorimin e forcave të sigurisë.
