Përplasje në Këshillin e Mandateve: SPAK kërkon shpejtësi, opozita mbledhje urgjente, mazhoranca shtyrje deri në janar

Data

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zv/kryeministres ka hapur një përplasje të fortë politike brenda Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, ku palët po debatojnë ashpër mbi afatet dhe mënyrën e vijimit të procedurës.

Sipas burimeve nga mbledhja me dyer të mbyllura, opozita kërkon që Këshilli të mblidhet sërish më 22 dhjetor, duke argumentuar se çështja nuk duhet të zvarritet dhe se procesi duhet të ecë me ritëm të përshpejtuar. Në krahun tjetër, mazhoranca kërkon që mbledhja të shtyhet deri në muajin janar, duke mbështetur kërkesën e mbrojtjes për më shumë kohë.

Avokati i të pandehurës ka kërkuar tre javë afat për t’u njohur me dosjen hetimore, ndërsa prokurorët e SPAK kanë mbajtur një qëndrim të prerë, duke theksuar se 3 deri në 5 ditë janë të mjaftueshme për shqyrtimin e materialeve dhe se brenda këtij afati mund të zhvillohet një tjetër mbledhje e Këshillit.

Prokurorët kanë argumentuar se shtyrjet e gjata rrezikojnë të dëmtojnë ecurinë e hetimit dhe kanë insistuar që procesi të mos bllokohet nga manovra procedurale. Ata kanë theksuar gjithashtu se provat e depozituara, përfshirë materialet elektronike, janë të aksesueshme vetëm për anëtarët e Këshillit të Mandateve, për të garantuar ruajtjen e sekretit hetimor.

Nga ana tjetër, opozita ka shprehur dyshime se shtyrja deri në janar synon zvarritjen e qëllimshme të çështjes, ndërsa mazhoranca ka këmbëngulur se duhet respektuar e drejta e mbrojtjes për t’u njohur plotësisht me aktet.

Debati mbetet i hapur dhe pa një vendim përfundimtar, ndërsa tensioni politik rreth kësaj çështjeje vazhdon të rritet. Vendimi për datën e mbledhjes së radhës pritet të jetë përcaktues për fatin e kërkesës së SPAK dhe për hapat e mëtejshëm ndaj një prej figurave më të larta të qeverisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related