Seanca e gjyqit në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë sërish, duke u shoqëruar me debate të forta në sallën e GJKKO.
Në këtë proces janë të përfshirë gjithashtu bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe dhjetëra persona të tjerë.
Avokati i një prej të pandehurve, Sokol Hazizaj, kërkoi ndarjen e çështjes, duke argumentuar se gjykimi nuk mund të vijojë në këto kushte.
Por kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurori i posaçëm Ols Dado, i cili e cilësoi atë të pabazuar në ligj dhe akuzoi mbrojtjen për zvarritje të qëllimshme të procesit.
“Është strategji për të shtyrë procesin. Kemi 8 muaj që nuk po arrijmë të futemi në shqyrtimin e çështjes,” mësohet të ketë deklaruar Dado.
Sipas prokurorisë, kërkesa për ndarjen e dosjes nuk ka bazë ligjore dhe synon vetëm vonesën e gjykimit.
Seanca e radhës pritet të përcaktohet në vijim, ndërsa procesi ndaj Veliajt mbetet një nga çështjet më të ndjekura të drejtësisë në vend.
