Një telefonatë mes kryeministrit Edi Rama dhe një qytetari nga fshati Tragjas i Vlorës është kthyer në një debat të ashpër, me akuza dhe fyerje reciproke, pas diskutimeve për investimet në kanalizime në zonë.
Biseda nisi me pretendimin e qytetarit se punimet për kanalizimet janë kryer prej rreth 15 vitesh, ndërsa kryeministri e mohoi kategorikisht këtë, duke këmbëngulur se në zonë “nuk është bërë asgjë”.
Debati më pas u tensionua, me tone të forta nga të dyja palët. Rama shprehu irritim për, siç tha ai, “budallallëqet” që kishte dëgjuar nga banorë të zonës ditët e fundit, ndërsa qytetari iu përgjigj me akuza të drejtpërdrejta ndaj kreut të qeverisë.
Telefonata e publikuar ka ngjallur reagime në rrjetet sociale, ndërsa çështja e investimeve në Tragjas mbetet pjesë e debatit politik dhe publik.
