Media holandeze: Integrimi i Shqipërisë në BE rrezikohet nga korrupsioni, PPE kërkon masa të forta

Data

Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian po përballet me pengesa serioze për shkak të korrupsionit dhe tensioneve politike të brendshme, shkruan një media holandeze, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në vend.

Sipas raportimit, situata politike është përshkallëzuar pas akuzave për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke sjellë protesta të vazhdueshme në Tiranë dhe përplasje mes qytetarëve dhe policisë.

Opozita, e udhëhequr nga Partia Demokratike, akuzon kryeministrin Edi Rama për kapje të shtetit dhe manipulim të proceseve zgjedhore, akuza që qeveria i ka mohuar vazhdimisht.

Në qendër të kritikave është edhe përplasja me drejtësinë, veçanërisht me SPAK, institucioni kyç në luftën kundër korrupsionit. Vendimi i shumicës parlamentare për të mos hequr imunitetin e Ballukut është parë si një pengesë për hetimet dhe një sinjal negativ për sundimin e ligjit.

Raporti thekson se raste të shumta hetimesh ndaj figurave të larta politike, përfshirë edhe ish-zyrtarë të rëndësishëm si Sali Berisha, tregojnë për një problem të thellë sistemik me korrupsionin në vend.

Në këtë kontekst, Partia Popullore Europiane (PPE) ka paraqitur 26 amendamente në raportin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, duke theksuar mangësi serioze në zgjedhje, drejtësi dhe qeverisje.

Sipas analizës, pa reforma të thella dhe të qëndrueshme, Shqipëria rrezikon të humbasë besueshmërinë në procesin e integrimit europian.

Edhe pse vendi ka bërë përparim në rrugën drejt BE-së dhe synon anëtarësimin para vitit 2030, zhvillimet e fundit politike dhe përplasjet institucionale mund të ndikojnë negativisht në këtë objektiv strategjik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related