I burgosur prej 14 ditësh me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj po bën traditë publikimin e postimeve të gjata në faqen e tij në “Facebook”, të mbushura me fyerje dhe kërcënime në adresë të prokurorit Olsi Dado, por edhe të gjyqtarit të masës së sigurisë, Erjon Bani.
Të hënën, Veliaj publikoi një imazh, që sipas tij ishte faksimile e një pjese të dialogut të ndodhur në sallë e gjyqit. “Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëllmen para tij!”, shkroi Veliaj. Në faksimilen e transkriptit të publikuar nga Veliaj, prokurori Olsi Dado pretendohet t’i ketë thënë atij: “Ndyrësirë”.
Por e pyetur nga BIRN, Gjykata e Posaçme e mohoi kategorikisht këtë pretendim, duke deklaruar se transkripti i seancës i publikuar nga Veliaj nuk ishte i vërtetë.
