Përmbyset gjithçka që dinit për ushqimin/ Piramida e re ushqimore shpall “armiq” ushqimet e procesuara dhe yndyrnat e dëmshme

Data

Një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si ushqehemi po merr formë. Pas më shumë se 30 vitesh, piramida ushqimore tradicionale është rishikuar, duke reflektuar realitetin alarmant të obezitetit dhe shtimit të sëmundjeve kronike në mbarë botën. Studimet e fundit kanë treguar qartë se stili i jetesës dhe ushqimet e përpunuara janë ndër shkaktarët kryesorë të problemeve serioze shëndetësore, nga sëmundjet kardiovaskulare e deri te diabeti dhe çrregullimet metabolike.

Ndryshe nga modeli i vjetër, ku baza e ushqyerjes mbështetej te karbohidratet dhe drithërat, piramida e re e përmbys këtë logjikë. Në qendër të saj vendosen ushqimet e plota, proteinat cilësore, perimet dhe yndyrnat e shëndetshme. Ushqimet e procesuara, produktet “pa yndyrë” dhe ato të pasura me sheqerna të fshehura tashmë konsiderohen faktorë të drejtpërdrejtë rreziku për shëndetin.

Sipas specialistëve të ushqyerjes, procesimi i ushqimit – heqja e përbërësve natyralë dhe shtimi i substancave artificiale – e bën atë shumë herë më të dëmshëm sesa përmbajtja natyrale e yndyrës apo sheqerit. Për këtë arsye, rekomandohet rikthimi te ushqimet sa më natyrale, si qumështi i plotë, kosi tradicional, vaj ulliri, avokado, arrat dhe burime të pastra proteinash.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me proteinat. Nëse më parë rekomandohej një sasi minimale ditore, udhëzimet e reja sugjerojnë rritje të konsumit të proteinave, sidomos për të rriturit aktivë dhe sportistët. Kjo ndihmon jo vetëm në ruajtjen e masës muskulore, por edhe në përmirësimin e metabolizmit dhe kontrollin e peshës trupore.

Eliminimi i ushqimeve ultra të procesuara shihet si hapi më i madh i kësaj reforme ushqimore. Studimet kanë zbuluar lidhje të forta mes këtyre produkteve dhe mbipeshës, obezitetit, si dhe fillimit të shumë sëmundjeve kronike. Ndërkohë, vëmendje e veçantë i kushtohet shëndetit të zorrëve, i cili lidhet drejtpërdrejt me sistemin imunitar, gjendjen mendore dhe mirëqenien e përgjithshme.

Ekspertët theksojnë se piramida e re ushqimore nuk është thjesht një trend, por një nevojë urgjente për shëndetin publik. Ndryshimi i zakoneve ushqimore sot, sipas tyre, mund të ulë ndjeshëm barrën e sëmundjeve kronike nesër dhe të përmirësojë cilësinë e jetës për brezat që vijnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related