Millan Radoiçiç është kriminel që duhet të mbahet përgjegjës” – Shtetet e Bashkuara janë të qarta në qëndrimin e tyre për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, i cili, nëpërmjet avokatit të tij, mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur të shtatorit të 2023-tës, në Banjskë.
Kanë kaluar më shumë se pesë muaj prej sulmit në veri të Kosovës, si pasojë e të cilit u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit, më pas u vranë edhe tre sulmues.
Për Radoiçiçin ende nuk ka vendim prej drejtësisë.
Disa burime i patën thënë Radios Evropa e Lirë se sistemi i drejtësisë në Kosovë do të ngrejë aktakuzë kundër Radoiçiçit në tre muajt e parë të 2024-tës.
Diçka e tillë nuk ka ndodhur ende.
REL-i ka marrë vesh nga burime të tjera se hetimet për rastin janë drejt përfundimit, por aktakuza nuk pritet as gjatë muajit mars.
Hetime paralele
Pas sulmit në fshatin e komunës së Zveçanit, Radoiçiç – i përfshirë në listën e zezë amerikane për pjesëmarrje në krim të organizuar ndërkombëtar – ka shkuar në Serbi.
