Hetimet e Prokurorisë së Posaçme në kuadër të dosjes së AKSHI-t kanë zbuluar dyshime serioze për një skemë të sofistikuar pastrimi parash, ku rreth 10 milionë euro janë transferuar ndër vite përmes faturimeve për produkte ushqimore, konkretisht çokollata dhe biskota.
Sipas materialeve hetimore, gjatë viteve 2018, 2020 dhe 2021, shuma të konsiderueshme janë kredituar në llogaritë bankare të një subjekti që ushtron aktivitet në fushën e shpërndarjes së produkteve ushqimore. Në mesin e personave të proceduar ndodhet edhe biznesmeni Rogers Rryta, i cili së bashku me të atin zotëron shoqërinë “Mega Distribution”, kompani që operon në import-eksport ushqimesh dhe veshjesh.
Në dëshminë e tij përpara hetuesve, Rryta ka deklaruar se shoqëria e tij ka përfaqësinë e një kompanie të huaj për produkte ushqimore dhe se aktiviteti i saj kufizohet vetëm në tregtimin e ushqimeve dhe veshjeve, pa asnjë lidhje me sektorin e teknologjisë së informacionit apo produkte IT.
Ai ka pranuar se ka pasur marrëdhënie tregtare me shoqëritë “Fastech” dhe “Soft & Solution”, por ka pohuar se nuk i kujtohet se si ka nisur kjo marrëdhënie dhe se nuk ka pasur kontrata të shkruara me to. Po ashtu, ka deklaruar se nuk mban mend konkretisht çfarë produktesh janë shitur, si janë transportuar apo ku janë magazinuar.
Nga hetimet rezulton se gjatë periudhës 2018–2021, në llogaritë e subjektit janë depozituar mbi 10 milionë euro në monedha të ndryshme, të cilat sipas deklarimeve janë justifikuar si pagesa për fatura shitjeje të çokollatave dhe biskotave. Këto fonde, sipas tij, janë përdorur për vazhdimin e aktivitetit tregtar.
Ndërkohë, administratorë të shoqërive të tjera të përfshira në dosje kanë deklaruar se bashkëpunimet mes tyre kanë kaluar përmes nënkontraktimeve në projekte të lidhura me shërbime teknologjike dhe siguri kibernetike, duke ngritur dyshime për përdorimin e kompanive ushqimore si hallkë për qarkullimin dhe justifikimin e parave.
SPAK dyshon se faturimet për produkte ushqimore nuk kanë pasur përputhje reale me aktivitetin e kompanive teknologjike dhe se këto transaksione janë përdorur për të maskuar burimin e fondeve që lidhen me tendera publikë dhe procedura të dyshuara të manipuluara.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rolin e secilit subjekt dhe për të verifikuar nëse kemi të bëjmë me një skemë të strukturuar pastrimi parash në funksion të abuzimeve me fondet publike.
