Mes dhimbjes dhe pikëllimit, sot u mbajtën ceremonitë mortore për pesë nga tifozët e PAOK, të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik rrugor të ndodhur në Rumani.
Funeralet u zhvilluan në zonat e Aleksandrisë dhe Imathisë, ku familjarë, miq dhe qindra qytetarë u mblodhën për t’u dhënë lamtumirën e fundit të rinjve. Kisha e Ngjitjes së Virgjëreshës Mari u mbush me kurora lulesh, ndërsa atmosfera ishte e rënduar nga dhimbja dhe lotët e pjesëmarrësve.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Aleksandrisë, Panagiotis Gyrinis, i cili shprehu solidaritetin e komunitetit vendas me familjet e viktimave. Po ashtu, pati një prani të konsiderueshme tifozësh të PAOK-ut që udhëtuan nga zona të ndryshme për të nderuar kujtimin e bashkëmbështetësve të tyre.
Klubi i PAOK-ut u përfaqësua nga delegatë të posaçëm, të dërguar nga presidenti i klubit, Ivan Savvidis. Me kërkesë të familjarëve, ceremonitë u zhvilluan pa praninë e kamerave, kërkesë që u respektua plotësisht.
Dy nga viktimat u varrosën një ditë më parë në Selanik. Aksidenti ndodhi gjatë fundjavës pranë qytetit Timisoara, kur furgoni me tifozë u përplas me një kamion gjatë një parakalimi të rrezikshëm. Bilanci i ngjarjes ishte 7 viktima dhe 2 të plagosur.
Mes viktimave ndodheshin edhe dy tifozë shqiptarë. Grupi po udhëtonte drejt Francës për të ndjekur ndeshjen e PAOK-ut kundër Lionit, një udhëtim që përfundoi tragjikisht.
