Të gjithë ata që prisnin “lëshimin e madh” të Erion Velisë nga Edi Rama, në asamblenë që përcaktoi drejtuesit e rinj të qarqeve në PS, kanë mbetur të zhgënjyer. Që nga shpërthimi i skandalit “5D”, ku një vjedhje kolosale e parave publike nga drejtuesit më të lartë të bashkisë doli sheshit, zërat se këtë herë Veliaj nuk do t’i shëptonte një hetimi penal erdhën duke u shtuar. Marrja në pyetje për rreth 7 orë e kryebashkiakut për aferën e inceneratorit të Tiranës dhe nisja e një hetimi jo shumë të qartë pasuror për familjarët e tij, e përforcoi bindjen se kryeministri do ua linte duart e lira prokurorëve të SPAK.
Por ndërsa SPAK po i zvarriste çështjet ku dyshohej roli i kryebashkiakut, (madje në aktakuzën për inceneratorin e Tiranës ai u la jashtë), ata që ende vazhdojnë të kenë një besim të pashpjegueshëm tek “drejtësia e re” dhe tek një teori absurde për gjoja një konflikt Rama- Veliaj, prisnin me optimizëm asamblenë e qershorit, ku, sipas tyre, Rama do e shkarkonte Veliajn nga drejtues i qarkut dhe do i jepte kështu sinjalin e shumëpritur SPAK.
Kjo kategori optimistësh është shumë laramane. Në të bëjnë pjesë naivët që mendojnë se SPAK është një institucion i pavarur që mund të funskionojë në një regjim autokratik, duke injoruar me kokëfortësi faktet kur organi i akuzës ka qenë në sinkron me interesat e kryeministrit. Veç naivëve, në këtë kategori bën pjesë dhe një numër jo i vogël rilindasish që më shumë shpresonin se sa besonin, që Edi Rama do ta çgradonte Veliajn në shtator. Pakënqësia që lideri lëshonte tavolinave ndaj kryebashkiakut, fuqia e jashtëzakonshme që ai i veshi Belinda Ballukut, kunjat në takimet partiake dhe frika e skandaleve të tjera që thuhet se mund ta implikojnë sërish delfinin e Ramës, i dhanë jetë idesë së një ndëshkimi të mundshëm të boss-it ndaj çirakut plangprishës.
Si pjesë e tretë e kësaj kategorie janë edhe ata opozitarë të Ramës që në mënyrë të pakuptueshme jetojnë në iluzionin e një konflikti mes tij dhe Veliaj. Në dalje publike, debate, shkrime e fjalime, eksponentë të opozitës e kanë shndërruar në realitetin e tyre këtë të ashtuquajtur konflikt. Dhe nisur nga kjo premisë e marrë, ata i janë bashkuar idesë “optimiste” se Rama do e lëshonte Veliajn në duart e SPAK. Akti pritej të ndodhte në shtator.
