Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-deputetit të PS-së, Jurgis Çyrbja, për shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg”, duke e lënë atë në qeli.
Sipas njoftimit zyrtar, trupi gjykues vendosi rrëzimin e kërkesës së paraqitur nga Çyrbja, i cili kishte kërkuar lirimin me argumentin e përfundimit të dënimit të dhënë më herët nga shkalla e parë.
Ndaj ish-deputetit, SPAK ka ngritur akuza për “korrupsion aktiv zgjedhor”, “përkrahje e autorit të krimit” dhe “tregtim të sekretit shtetëror”. Hetimet, të drejtuara nga prokurori Adnan Xholi, kanë zbuluar sipas akuzës lidhje mes politikës dhe grupeve kriminale, si dhe ndikim në procesin zgjedhor.
Sipas dosjes hetimore, gjatë periudhës maj 2020 – mars 2021, Çyrbja dyshohet se ka siguruar dhe transmetuar të dhëna nga sistemi TIMS dhe informacione sekrete të Policisë së Shtetit, përfshirë plane operacionale për kapjen e personave në kërkim, duke u dhënë mundësi atyre të shmangnin arrestimin.
Çyrbja u dënua më 3 nëntor 2025 me 3 vite burg për “tregim të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 2 vite. Ai kishte dorëzuar mandatin e deputetit në tetor 2024, pak ditë para arrestimit.
